Policia e shtetit 1024x570

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i është përgjigjur interesimit të mediave në lidhje me rolin e Policisë së Shtetit gjatë seancës gjyqësore që u zhvillua më 12 Shkurt për masat e sigurisë mbi Erion Veliajn, Ajola Xoxën dhe 6 biznesmenëve që akuzohen nga SPAK.  Kjo për shkak se gjatë seancës u grumbulluan turma protestuesish në mbështetje të kryebashkiakut duke bllokuar oborrin e përbashkët të Gjykatave të Posaçme dhe të SPAK-ut.

GJKKO thotë se janë informuar nga Garda se kanë kërkuar prej tyre ndihmë nga Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin jashtë të gjykatës dhe SPAK, duke vendosur kordonin e sigurisë me punonjës policie me uniformë, sikurse është vepruar në raste të tjera të ngjashme në protestat e organizuara nga Partia Demokratike kur është paraqitur Sali Berisha.

“Gjithashtu, informacioni, i cili i është përcjellë institucionalisht Policisë së Shtetit nga Garda e Republikës ku i është bërë e ditur rreth grumbullimit të një numri të konsiderueshëm protestuesish përballë Gjykatave të Posaçme është mbuluar gjithashtu pothuajse nga të gjitha mediat, edhe në lidhje direkte”, deklaron GJKKO.

Pasi rendit të gjitha ligjet dhe VKM-të, ku sipas GJKKO-së, Garda është institucioni që ruan dhe mbron vetëm perimetrin e brendshëm të gjykatave, në deklaratë thuhet se ajo, pra Garda, “bashkëpunon e bashkëvepron me Policinë e Shtetit për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve dhe të objekteve në ruajtje”.

Për më tepër, GJKKO thekson se vështirësia e lëvizjes së gjyqtarëve qoftë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, u rëndua gjatë mbrëmjes, kur protestuesit jo vetëm kanë penguar gjyqtarët të dalin nga ambientet rrethuese të gjykatës, por edhe kur kanë tentuar të dalin, “automjetet shoqëruese të tyre janë qëlluar nga ana e protestuesve, duke sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët”.

“Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm iu cenuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre”, tha GJKKO.

Sipas Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Policia e Shtetit nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën.

“Nga ana e Policisë së Shtetit, e cila ka si mision parësor ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit”, njoftoi GJKKO.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka konsideruar “këtë sjellje të paprecedentë të Policisë së Shtetit, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore”.

“Nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrativ”, njoftoi GJKKO.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë thotë se i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit për të marrë masat e duhura dhe për të vënë përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore të gjithë personat përgjegjës në polici që nuk kanë marrë masat e duhura për të shmangur apo monitoruar situatën.

“Po ashtu, kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion e gjithë procedura ligjore e ndjekur dhe planin e masave që janë marrë në rastet e ngjashme sikurse gjatë protestave të datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025, si dhe një shpjegim i argumentuar dhe me prova pse nuk është ndjekur e njëjta praktike edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025. Aktualisht, gjykata është në pritje të kthimit të përgjigjes nga ana e autoriteteve kompetente, me qëllim ndjekjen e rrugëve të tjera institucionale sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore”, njoftoi GJKKO.

Kujtojmë se në seancën që u zhvillua të mërkurën në GJKKO, para gjykatës u mblodhën protestues në mbështetje të kryebashkiakut Veliaj. Ai u la në arrest me burg, ndërsa bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa iu lehtësua masa në detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Sa i përket biznesmenëve të akuzuar për rastin, ndaj Elman Abules u la në fuqi arresti me burg, ndërsa për pesë të tjerët do të vijojë detyrimi për t’u paraqitur.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights