1739387219 2hq4p6q8zelenskiyputintrump6

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndërmarrë një iniciativë diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke zhvilluar biseda telefonike me presidentin rus Vladimir Putin dhe homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky.

Telefonata e parë u zhvillua me kreun e Kremlinit dhe zgjati rreth një orë e gjysmë. Sipas zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, lideri rus u shpreh i gatshëm për të nisur negociatat për paqe dhe madje ftoi Trumpin për një vizitë në Moskë.

Në një postim në Truth Social, Trump e cilësoi bisedën si “shumë produktive” dhe tha se kishte diskutuar me Putinin mbi çështje të ndryshme globale, duke përfshirë energjinë, inteligjencën artificiale dhe fuqinë e dollarit. Mbi të gjitha, ai theksoi se të dy liderët ranë dakord për domosdoshmërinë e ndaljes së konfliktit.

“Ne të dy besojmë fuqishëm në arsyen e shëndoshë dhe kemi vendosur të bashkëpunojmë nga afër për t’i dhënë fund kësaj lufte. Tani do të kontaktoj Presidentin Zelensky për ta informuar mbi këtë zhvillim,” deklaroi Trump.

Pas bisedës me Putinin, Trump telefonoi presidentin e Ukrainës. Në një tjetër postim, ai njoftoi se Zelensky gjithashtu dëshironte paqen dhe se palët do të vijojnë diskutimet në një takim të nivelit të lartë në Mynih, të premten.

Në këtë kuadër, Trump ka caktuar Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Drejtorin e CIA-s John Ratcliffe dhe Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare Michael Waltz si përfaqësuesit e SHBA-së në negociata. Ai shprehu bindjen se ky proces do të sjellë rezultate konkrete dhe se lufta duhet të marrë fund sa më shpejt.

Lëvizja e Trump vjen në një moment kyç për konfliktin ruso-ukrainas, duke rritur shpresat për një zgjidhje diplomatike pas më shumë se dy vitesh luftë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights