Partia Demokratike nuk do të mbështesë ndryshimet në Kodin Zgjedhor nëse Partia Socialiste nuk pranon amendamentin e saj për regjistrimin e shqiptarëve që disponojnë vetëm dokumente të huaja në zgjedhjet e 11 majit. Këtë qëndrim e konfirmoi kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat, duke theksuar se ky është kusht i panegociueshëm për opozitën.

“Pa pranimin e këtij amendamenti, nuk ka asnjë votim nga ana jonë. Jemi të gatshëm të mbështesim ndryshimet, por vetëm nëse përfshihet edhe kërkesa jonë. Në të kundërt, nuk do të votojmë asgjë,” deklaroi Berisha, duke paralajmëruar se përndryshe shumë shqiptarë të diasporës do të mbeten të përjashtuar nga procesi zgjedhor.

Ndërkohë, kreu i demokratëve njoftoi se protesta e planifikuar më 8 shkurt do të jetë një demonstrim force për opozitën, duke e cilësuar atë si “protestën e fitores” në rrugën drejt zgjedhjeve të 11 majit. Ai shtoi se opozita do të vijojë mobilizimin deri në ditën e votimeve.

Lidhur me strategjinë e PD për zgjedhjet, Berisha konfirmoi se negociatat me Partinë e Lirisë vijojnë, edhe pse ende nuk është përcaktuar ndarja e mandateve për kandidatët e Ilir Metës. “Jemi të hapur për një koalicion me PL dhe me Ilir Metën. Kjo nënkupton që do të ketë ndarje të qartë të vendeve të sigurta në listë,” sqaroi ai.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha iu përgjigj edhe Kryeministrit Edi Rama, i cili kishte ironizuar premtimet e PD për pensionet, duke i cilësuar ato si të parealizueshme. “Premtimet e mia nuk janë boshe. Gjatë kohës që kam qeverisur, kam dyfishuar pensionet e ulëta, kam rritur me 70-80% pensionet e mesme dhe me 30% pensionet e larta,” tha ai.

Berisha dha këto deklarata pas kthimit nga Gjermania, ku mori pjesë në kongresin elektoral të CDU-së. Ai tha se zyrtarët e kësaj partie i kishin shprehur mbështetje Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights