Edhe Kosova do të ketë Teatrin e Operës dhe Baletit.
Në një ceremoni të veçantë është prezantuar projekti fitues për Teatrin e Operës dhe Baletit të Kosovës, ndërkohë që pjesëmarrësit e vlerësuan këtë si një ditë historike për kulturën dhe artin.
Këtë ngjarje e çeli ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ndër të tjera në fjalën e tij tha se, është i gëzuar që kjo ndërtesë, pas pothuajse pesë dekadave, do t’i dhurojë Prishtinës një ikonë të arkitekturës bashkëkohore, që do t’i qëndrojë pranë një prej perlave të arkitekturës moderne, Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Projekti fitues i teatrit do të projektohet nga arkitekti me famë botërore Biarke Ingels dhe studio e tij BIG, i cili ishte personalisht në Prishtinë dhe prezantoi këtë projekt para të pranishmëve.
Teatri përmban sallën koncertale me mbi 1200 ulëse, sallën teatrale me 1000 ulëse, dhomën koncertale dhe dhomën teatrale, të dyja me nga 300 ulëse. Ndërsa do të akomodojë parkingun nëntokësor me kapacitet me mbi 400 vendparkime pranë unazës së brendshme të Prishtinës, dhe do të jetë kalimi më i veçantë në mes të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve dhe lagjes “Arbëria”.