Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve paraprake, ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurit Gazmir Preçi, punonjës i policisë së shtetit, ish shef i Sektorit të Narkotikëve në DVP Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas SPAK në përfundimin e hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Gazmir Preçi i ka kërkuar dhe marrë një shumë monetare në vlerën 10,000 (dhjete mijë) euro shtetasit B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj.
Hetimet e këtij procedimi u kryen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.