Ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu e akuzuar për lidhjen me bandën kriminale të Suel Çelës ka kërkuar të lirohet nga qelia për shkaqe shëndëtësore. Për shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata e Posaçme ka vendosur të caktojë dy ekspertë të mjekësisë ligjore të cilët do të përcaktojnë nëse qëndrimi në qeli i rrezikon jetën apo nëse sjell komplikacione për të.

Trupa gjykuese vendosi sot që pas njoftimit të Mjekësisë Ligjore, ekspertët të paraqiten në seancën e ardhshme më datë 10 shkurt në orën 11:00 dhe të parqesin konkluzionet. Më 14 janar, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe vëllezërit Marsel e Xhino Roka.

Rreth dy muaj më parë SPAK goditi organizatën kriminale të Suel Çelës, 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në krimin e organizuar, ish-zyrtarë të drejtësisë, policisë, si dhe 2 gazetarë. Prokuroria e Posaçme tha se arriti të zbulonte dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, drejt vendeve të Bashkimit Europian. Sipas SPAK me paratë e fituara nga trafiku, banda e Çelës ka financuar ndër vite eliminimin e kundërshtarëve në qytetin e Elbasanit. Për realizimin e qëllimeve të veta kundër kundërshtarëve të tyre, apo edhe për të krijuar mbrojtje për vete, organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të drejtësisë, policisë dhe medias. Organizata kriminale, nga hetimet e përbashkëta të kryera mes SPAK, Belgjikës, Francës dhe Ekuadorit, tregoi se paratë përdoreshin për financimin e blerjes së kokainës, silleshin kesh në Shqipëri dhe investoheshin në biznese në dukje të rregullta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights