Në ceremoninë mortore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, e mbajtur në Tiranë, Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologu i tij grek, Kiriakos Mitsotakis, patën një moment për të shkëmbyer disa fjalë mes tyre. Takimi i shkurtër mes dy liderëve ka tërhequr vëmendjen e mediave, veçanërisht atyre greke, të cilat e cilësojnë bisedën si të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Sipas gazetës greke Kathimerini, takimi kokë më kokë mes Ramës dhe Mitsotakis mund të ketë qenë i shkurtër, por ka pasur një peshë simbolike. Detajet e diskutimeve mes tyre nuk janë bërë të ditura, por përmbajtja mund të kuptohet nga deklaratat e dhëna për mediat më pas.
Në një prononcim për gazetarët, Kryeministri Mitsotakis theksoi rëndësinë e dialogut mes Shqipërisë dhe Greqisë për të zgjidhur çdo çështje mes dy vendeve. “Nuk ka asnjë problem që të mos zgjidhet përmes dialogut. Jemi fqinj dhe kjo është një arsye më tepër që çdo çështje ta trajtojmë me bisedime,” u shpreh ai pas përshëndetjes me Ramën.
Nga ana tjetër, edhe Kryeministri shqiptar dha një mesazh pajtues, duke mohuar ekzistencën e ndonjë tensioni mes dy qeverive. “Me Mitsotakis jemi miq. Folëm për disa gjëra, por nuk kam asgjë tjetër për të ndarë me ju. Nuk ka probleme, gjithçka është në rregull,” citohet Rama nga Kathimerini.
Edhe pse takimi mes dy liderëve ishte i shkurtër, vlerësohet si një sinjal pozitiv për vijimin e komunikimit mes Tiranës dhe Athinës, në një periudhë ku marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë në fokusin e diskutimeve diplomatike.