Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se në dhjetë ditët e ardhshme do të merret një vendim nëse do të mbahen zgjedhje të parakohshme apo nëse do të formohet një qeveri e re në vend, pas dorëheqjes së kryeministrit Millosh Vuçeviç mes protestave të mëdha të studentëve, që nuk ndalen prej muajsh tashmë.

Ai përsëri akuzoi armiqtë e tij politikë që duan ta rrëzojnë atë nga pushteti ndërkohë që premtoi se do të punojë për të ruajtur “stabilitetin” dhe “paqen” në vend.

“Serbia do të ruajë stabilitetin, Serbia do të ruajë paqen. Gjatë dhjetë ditëve të ardhshme, ne do të vendosim nëse do të mbajmë zgjedhje apo nëse do të shkojmë drejt formimit të një qeverie të re.”

Sipas Vucic, kërkesat e studentëve janë plotësuar por ka disa palë të interesuara për të rrëzuar qeverinë e vendit dhe vetë atë.

“Mund të thoni çfarë të doni për kërkesat e studentëve. Të gjithë në këtë vend e dinë se këto kërkesa janë plotësuar. Është tjetër gjë, që disa duan të thonë se nuk ka ndodhur kështu sepse mendojnë se janë mjaftueshëm të fortë për të rrëzuar dikë në rrugë. Por për të rrëzuar dikë, ai duhet të humbasë zgjedhjet.

Por Vuçiç tha se po sheh “zemërim” në rritje mes popullatës që nuk i mbështet protestat.

“Zemërimi i palës tjetër, i shumicës së Serbisë, po rritet çdo ditë. Dhe është një zemërim që nuk e kam parë kurrë më parë në jetën time. Dhe kjo më tremb. I lutem këtyre njerëzve dhe i kërkoj këtyre njerëzve që më respektojnë: Mos u përfshini në konflikte. Lërini ata të bëjnë atë që duan. Ata nuk kanë asnjë ide dhe nuk e dinë se cfarë duan.

Studentët në Serbi u zotuan se do të vazhdojnë protestat edhe pasi kryeministri i vendit Milos Vuçeviç njoftoi dorëheqjen e tij një ditë më parë. “Dorëheqja e Kryeministrit, nuk do të thotë asgjë për ne”, thanë studentët pas publikimit të lajmit, duke shtuar se do të vazhdojnë protestat pavarësisht se kush dorëhiqet. Për muaj të tërë, Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë janë luhatur mes thirrjeve për bisedime dhe hedhjes së akuzave se demonstruesit mbështeten nga fuqitë e huaja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights