Është shtyrë seanca e radhës gjyqësore ndaj të dënuarit Dritan Dajti, pasi gjykata e Elbasanit e pati të pamundur të realizojë lidhje me video-konferencë me IEVP Peqin e nga ana tjetër Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk merr përsipër shoqërimin e Dritan Dajtit në ambientet e gjykatës për arsye sigurie.
“Është e turpshme që 4 mijë policë burgjesh nuk sjellin dot në gjykatë një person ndërkohë që ka 6 mijë të burgosur në të gjithë Shqipërinë që duhet t’i ruajnë. Ka dhe një forcë speciale me 90 efektivë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe askush s’merr përsipër ta sjellë në gjykatë. Vetë kërkuesi kërkon të jetë prezent, por edhe lidhja audiovizive nuk u realizua dot nga gjykata”, tha avokati Alban Qafa.
I dënuari për vrasjen e 4 efektivëve të policisë i kërkon gjykatës konstatimin dhe deklarimin e pamundësisë së vënies në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Krimeve të rënda pasi ky vendim, sipas tij është i pavlefshëm, pasi mungojnë nënshkrimet e katër anëtarëve të trupit gjykues.
Dritan Dajti pretendon se ka përfunduar dënimin në 17 Gusht të vitit 2024 dhe po mbahet në qeli pa të drejtë. Në të kundërt thotë Dajti gjykata të vendosë në dispozicion urdhrin e ekzekutimit për dënimin me burgim të përjetshëm, urdhër i cili, sipas tij, nuk ekziston.