Është arrestuar një person në lidhje me vrasjen e Lulzim Vishës. Bëhet fjalë për 37 vjeçarin Eduart Lami, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në krim. Ky i fundit është vënë në pranga më parë për armëmbajtje pa leje dhe është kushëriri i Ervis Lamit, personit që inicioi planin e arratisjes së bujshme nga burgu i Drenovës.
Sipas policisë, janë kryer kontrolle në banesën e Ervis Lamit, ndërsa ai është shpallur në kërkim. Në banesë janë gjetur një armë zjarri automatike me silenciator, municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja arme.
“Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Kamëz., për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”. Po në kuadër të operacionit si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E. L., 31 vjeç. Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit E.L dhe përdoret nga të dy shtetasi E.L 37 dhe E.L 31 vjec”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.
Ervis Lami, emër i njohur për drejtësinë
Ai është një prej bashkëpunëtorëve kryesorë për arratisjen e Admir Tafilit nga burgu i Drenovës më 23 Nëntor 2013. Në gjykatë, ai ka marrë përsipër fajin dhe autorësinë për planin e arratisjes së famshme. Ishte pikërisht dënimi me burg përjetë i mikut të tij, Admir Tafilit që vuri në zbatim planin.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e djeshëm ku viktima u gjet pa shenja jete brenda makinës së punës në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner të Tiranës.
Visha punonte postier dhe në momentin e ngjarjes ishte nisur për në punë me automjetin e një poste private, ku u qëllua me breshëri plumbash. Sipas informacioneve paraprake, janë gjetur 12 gëzhoja pistolete brenda mjetit me të cilin po lëvizte viktima.