Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, për akuzën e korrupsionit zgjedhor. Në vendimin e saj, GJKKO e ka dënuar Memollën me një vit burg dhe i ka ndaluar ushtrimin e funksioneve publike për një periudhë pesëvjeçare.

Pas dhënies së vendimit, Memolla ka deklaruar se pret zbardhjen e plotë të tij për të dhënë një qëndrim zyrtar. “Sapo të kemi zbardhjen e vendimit, do të bëj një deklaratë më të detajuar për mediat,” tha ai.

Hetimet ndaj Memollës nisën pas publikimit të një audio-përgjimi ku ai, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie, dëgjohej duke ndërhyrë për të ndaluar një ndërprerje të energjisë elektrike për një abonent debitor. Prokuroria e Posaçme argumentoi se ndërhyrja ishte pjesë e një përpjekjeje për të siguruar votën e qytetarit në zgjedhjet e pjesshme lokale të mbajtura më 6 mars 2022.

Gjithashtu, gjatë hetimeve u konfirmua se Memolla premtonte punësime në administratën e Bashkisë Rrogozhinë, duke shfrytëzuar pozicionin e tij për të ndikuar tek votuesit.

Vendimi i GJKKO për Memollën është një tjetër rast që vë theksin mbi rëndësinë e ndalimit të korrupsionit në proceset zgjedhore në vend. Grupi hetimor ka theksuar se ky vendim synon të japë një mesazh të qartë mbi pasojat e shkeljeve të ligjit nga zyrtarët publikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights