Gjykata e Posaçme i ka rikthyer SPAK-ut dosjen ndaj deputetit Asllan Dogjani, duke kërkuar plotësimin e hetimeve. Dogjani akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për deklarim të rremë pasurie, duke fshehur 120 mijë euro për blerjen e një apartamenti.
Sipas gjykatës së posaçme, hetimet e SPAK nuk janë të plota dhe u dha dy muaj të tjerë kohë që të plotësojnë dosjen dhe më pas të paraqiten për seancën paraprake. Deputeti i Partisë Demokratike është marrë nën hetim për deklarim të rremë të pasurisë për përftimin e një apartamenti.
SPAK thotë në dosje se më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës, Dogjani deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen kompanisë së ndërtimit.
Në mbështetje të këtij deklarimi, ai ka dorëzuar një kontratë të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet.
Por, SPAK thotë se Dogjani e ka përfituar apartamentin në fjalë me kontratën e datës 6 shtator 2006, ku parashikohej blerja e tij për gati 122 mijë euro, që prokuroria e posaçme pretendon se janë kryer përmes pagesave kesh.
SPAK dyshon se kontrata e 6 dhjetori 2006 është e rreme. Ndërkohë, deputeti i opozitës i konsideron akuzat politike dhe kallëzimin të ngritur nga një biznesmen që e ka akuzuar për zaptim të pronave publike.