Pas vite e vite me radhë teori konspirative dhe spekulime, tashmë do të publikohen dokumentet e klasifikuara mbi vrasjet e John Kenedy dhe Martin Luther King. Urdhri që u firmos nga Donald Trump synon të nxjerrë dosjet e fshehta në lidhje me vrasjen e Presidentit John Kenedy, senatorit Robert F.
Kennedy dhe udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King Jr. “Gjithçka do të bëhet publike”, tha Trump duke folur para gazetarëve. Sipas urdhrit ekzekutiv, drejtori i Inteligjencës Kombëtare dhe prokurori i përgjithshëm duhet të hartojnë një plan brenda 15 ditëve për të nxjerrë të dhënat mbi vrasjen e Presidentit John F. Kennedy dhe brenda 45 ditëve për dy rastet e tjera.
Presidenti Trump ia dha stilolapsin që përdori për të nënshkruar urdhrin një ndihmësi dhe kërkoi që ai t’i jepej Robert F. Kennedy Jr, nipit të Presidentit Kenedy . Ai bëri një premtim të ngjashëm gjatë mandatit të tij të parë, por në fund pranoi thirrjet e CIA-s dhe FBI-së për të mbajtur sekrete disa dokumente.
Kenedy u vra nga 24-vjeçari Lee Harvey Oswald ndërsa limuzina e tij përshkonte Dallasin në Teksas, më 22 Nëntor 1963. Ndërsa Martin Luther King u vra më 4 Prill 1968 në Memphis, Tennessee ndërsa mbështeste grevat e punëtorëve të pastrimit. Dy muaj më vonë më 5 Qershor 1968 u qëllua për vdekje Robert Kennedy në një hotel në Los Angeles.