Përqafimi miqësor mes Kryeministrit Rama dhe Volodimir Zelenksyt e pasoi firmosja e marrëveshjes 10-vjeçare bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Dy liderët firmosën paktin për sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë, përfshirë bashkëpunimin për prodhimin e armëve, shkëmbimin e informacionit në fushën e inteligjencës, sigurinë detare dhe kibernetike, luftën kundër krimit dhe trafikut.

Siç parashikon kjo marrëveshje e cila është publikuar në faqjen zyrtare të presidencës ukrainase, Shqipëria do të vijojë të ndihmojë forcat e armatosura ukrainase, sidomos në programet trajnuese për pilotët dhe teknikët ukrainas.

Ndërsa ashtu siç pritej është konkretizuar edhe iniciativa për prodhimin e përbashkët të municioneve luftarake mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Kërkesa është bërë 1 vit më parë nga vetë Presidenti Zelensky gjatë vizitës në Tiranë, ku kërkoi ndihmën e Shqipërisë për të prodhuar armë dhe fishekë që do të furnizonin Ukrainën në luftën ndaj Rusisë.

Kjo pikë në marrëveshje pasqyron vullnetin e të dyja palëve për tu përfshirë në industrinë e prodhimit të armëve dhe municioneve luftarake, por do të duhet të pasohet nga një plan dhe një marrëveshje konkrete.

Përmes kësaj marrëveshje Shqipëria rikonfirmon mbështetjen e saj për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991, duke përfshirë detin territorial, dhe njeh të drejtën e natyrshme të Ukrainës për vetëmbrojtje.

Në marrëveshje parashikohet që Shqipëria do të vijojë të konsiderojë mbylljen porteve detare për anijet ruse derisa të kthehet integriteti territorial i Ukrainës dhe të krijohet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme Gjithashtu pasuritë ruse duhet të mbeten të ngrira deri në momentin kur Federata Ruse të kompensojë Ukrainën për dëmet që ka shkaktuar.

Gjatë takimit mes dy liderëve, vëmendje të veçantë iu kushtua gjithashtu anëtarësimit të dy vendeve në BE

Volodymyr Zelenskyy ka përshëndetur edhe hapjen zyrtare të Ambasadës së Shqipërisë në Ukrainë, e cila u bë gjatë vizitës së javës së kaluar të ministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, një tjetër tregues i marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe mes vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights