Sipas raportimeve më të fundit nga IGJEO dhe SHMU, ditën e diel, më 12 janar, pritet të ketë reshje të dendura shiu dhe dëbore në disa qarqe të vendit. Zonat më të prekura janë Vlora, Gjirokastra, Dibra, Durrësi, Tirana dhe Korça, ku në lartësi mbi 300 metra reshjet do të jenë kryesisht në formën e dëborës.
Parashikimi i motit tregon se reshjet mund të shoqërohen me ulje të ndjeshme temperaturash dhe shtrëngata, duke krijuar kushte për ngrica në disa zona. Kjo situatë mund të ndikojë në vështirësitë e qarkullimit rrugor dhe të sjellë probleme në transport.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë thirrje që strukturat vendore dhe qendrore të mbeten në gatishmëri për të përballuar situatën dhe të marrin masat e duhura për menaxhimin e reshjeve intensive. Po ashtu, qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes në lëvizjet e tyre dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për të shmangur rreziqet e mundshme.