Platforma elektronike e regjistrimit për zgjedhjet e 11 majit ka nisur funksionimin dhe në pak orë ka tërhequr vëmendjen e emigrantëve. Deri në mesditën e 11 janarit, afro 400 shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë përfunduar procesin e aplikimit për t’u bërë pjesë e listës së votuesve, me pjesën më të madhe që rezultojnë me adresë të fundit në Tiranë.

Sink Statistikat fillestare tregojnë se aplikimet janë shpërndarë në disa shtete: 97 kërkesa vijnë nga Italia, 81 nga Gjermania, 51 nga Mbretëria e Bashkuar, dhe 36 nga Greqia, ndërsa aplikantët nga SHBA, Suedia, Franca, Austria dhe vende të tjera përbëjnë pjesën tjetër. Ndër bashkitë ku janë regjistruar këta shtetas, Tirana kryeson me 117 aplikime, e ndjekur nga Durrësi dhe Shkodra.

Përpunimi i kërkesave sapo ka filluar dhe brenda pesë ditëve kalendarike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të përcaktojë nëse ato do të miratohen apo refuzohen. Në rast se një kërkesë refuzohet, aplikantët mund të riaplikojnë deri më 4 mars, pa kufizim në numrin e herëve.

Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së, ka deklaruar se procesi deri tani ka funksionuar pa probleme, por ka theksuar nevojën për përmirësime në Kodin Zgjedhor. Ai ka sugjeruar që disa çështje teknike, si tarifat postare dhe afatet e regjistrimit të subjekteve zgjedhore, të rishikohen për të garantuar një proces më efikas.

Ndërkohë, Celibashi ka nënvizuar se votimi elektronik do të pilotohet në Tiranë, pavarësisht kundërshtimeve të disa forcave politike, duke përfshirë Partinë Demokratike. Sipas tij, kjo formë votimi është një hap i rëndësishëm për modernizimin e procesit zgjedhor në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights