Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka dërguar një mesazh nga burgu i Fierit, duke iu drejtuar mbështetësve të tij ndërsa afrojnë zgjedhjet parlamentare. Sipas tij, qeveria po i pret zgjedhjet e 11 Majit me një atmosferë të zymtë dhe mungesë entuziazmi.
Në mesazhin e tij, Salianji ka akuzuar qeverinë për angazhimin në procesin e patronazhimit të votës, duke përfshirë edhe diasporën. Ai thekson se deklarata e Ministrisë së Brendshme mbi ekzistencën e mbi 3.7 milionë votuesve për zgjedhjet e ardhshme, si dhe puna për përgatitjen e listave zgjedhore, e cila do të finalizohet në mars pas regjistrimit të emigrantëve dhe shqyrtimit të ankesave, është një shenjë e nisjes formale dhe burokratike të fushatës zgjedhore.
Salianji ka kritikuar ashpër qeverinë, duke e cilësuar si të pajisur me mungesë idesh dhe vizioni për zgjedhjet e ardhshme. Ai shton se qeveria nuk ka asgjë tjetër për të ofruar përveç promovimit të turizmit dhe bukurive natyrore të Shqipërisë, të cilat, sipas tij, përdoren për të mbuluar lidhjet me rrjetet kriminale dhe trafikantët e drogës.
Gjithashtu, ai ka bërë thirrje opozitës të mos përfshihet nga një ndjenjë euforie në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se pakënaqësia e qytetarëve ndaj qeverisë nuk mjafton për të sjellë ndryshimin e dëshiruar. Ish-deputeti u ka kërkuar mbështetësve të opozitës të jenë më pranë qytetarëve dhe të fokusohen në çështjet ekonomike, duke nënvizuar se çdo ditë e humbur larg qytetarëve është një mundësi e shpërdoruar.