Paralajmërimi se Shtetet e Bashkuara mund të vendosin sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), ka ndezur frikë në vend. Mundësia e vendosjes së sanksioneve është përmendur disa herë nga presidenti Aleksander Vucic ndërsa SHBA ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare.

Por për ekspertët, sanksionet e mundshme do të ndikonin në tregun serb të derivateve të naftës por pavarësisht problemeve nuk do të ndërpriteshin furnizimet. NIS është kompania e vetme në Serbi, e cila merret me kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës dhe prodhimin e gazit natyror. Sipas Vuçiqit, pronësia ruse e kompanisë ka bërë që SHBA-ja të planifikojë vendosjen e sanksioneve ndaj ish-kompanisë shtetërore, NIS.

Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, ka shumicën e aksioneve në NIS që nga viti 2008, ndërsa nga viti 2022, aksione ka edhe kompania e saj mëmë, Gazprom. Gjithsej, ato kanë 56.15 për qind të aksioneve, kurse 29.87 për qind janë në pronësi të Serbisë. Pjesa e mbetur u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionerëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por prodhuesi më i madh në botë i gazit, Gazprom, nuk i nënshtrohet embargos së vendeve perëndimore. Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë ndërkohë Radios Evropa e Lirë më herët se Shtetet e Bashkuara “nuk i paralajmërojnë publikisht sanksionet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights