Zjarret e Los Anxhelesit kërcënojnë tashmë edhe Hollivudin, teksa numri i viktimave ka arritur në 5.Zjarri i madh i shpërthyer mbrëmjen e të mërkurës në kodrat e Hollivudit e çon në 6 numrin e vatrave që kanë rrethuar prej të martës veriun e Los Anxhelesit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të largohen nga banesat, pasi për momentin mundësia për vënien nën kontroll vlerësohet si zero. Qarkullimi rrugor është përfshirë nga kaosi, teksa banorët kanë marrë automjetet e po largohen pas thirrjes së autoriteteve.
E njejta situatë, jo vetëm në Hollivud, por në 4 nga vatrat e tjera që mbeten jashtë kontrollit për shkak të erërave të fuqishme që arritën një shpejtësi prej më shumë se 100 km/orë.
vatra më e madhe, ajo në lagjen Palisejds, ka shkrumbuar edhe një pjesë të bregdetit të Malibusë ku kanë vilat e tyre luksoze edhe të famshmit e Hollivudit, përfshirë edhe atë të Paris Hiltonit.
Mbi 137 mijë banorë janë evakuuar, e po aq kanë marrë thirrje për evakuim. Sipërfaqja e djegur për dy ditë arrin në 117 kilometra katrorë. Zjarret që lidhen me pasojat e ngrohjes globale e që deri më tani kanë shkrumbuar mbi 1 mijë ndërtesa konsiderohen si më të rëndat në historinë e Kalifornisë për përmasat shkatërrimtare.