Çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë do të ulet, një zhvillim që Kryeministri Edi Rama e përshkroi si një hap të rëndësishëm që ndodh për herë të parë pas më shumë se tre dekadash. Njoftimi u bë gjatë një konference për shtyp të mbajtur në selinë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku Rama ishte i shoqëruar nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas Kryeministrit, ky vendim është rezultat i analizave dhe konsultimeve të thelluara me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe një strategjie afatgjatë për sektorin energjetik.
“Ulja e çmimit është në kundër tendencë të plotë me rajonin dhe kontinentin ku jetojmë ku çmimi i energjisë jo vetëm është rritur por kërcënuar nga rritje të tjera, kjo masë është një masë më shumë se sa e mirëmenduar, e diskutuar gjerë në të gjithë nivelet me ekspertizën e brendshme dhe ndërkombëtare, e bazuar në projeksionet e planit tonë strategjik dhe kthimin në eksportues neto brenda mandatit të katërt”, tha Edi Rama.
Ai theksoi se kjo ulje e çmimit lidhet me përparimet ekonomike dhe arritjet e reformave të qeverisë në vitet e fundit.
“Duke pasur parasysh parimin e shpallur botërisht të qeverisë për të ndarë me qytetarët frytet e reformave të dhimbshme, e përpjekjeve të mundimshme në këto vite dhe të një rritjeje ekonomike që për 2025 e parashohim në harkun e 4% që është një shifër shumë domethënëse”
Ministrja Balluku dha detaje mbi arsyet teknike që mundësuan këtë vendim.
” Kjo vjen për shkak të performancës së sektorit. Ja kemi dalë pasi kemi përmbushur një nga kushtet teknike më të rëndësishme, që është ulja e nivelit të humbjeve duke e çuar në 17,93% krahasuar me 46% që ka qenë në vitin 2012″.
Në përgjigje të kritikave nga opozita.
” Bëjnë teori për sektorin energjetik, por siç do të shikoni çmimet e energjisë i kanë pasur më të larta se sa çmimi që është sot, jo sa do të jetë duke nisur nga muaji shkurt. I kanë rrokanisur dhe i rrokanisin kokën shqiptarëve duke iu thënë që ne rritëm çmimin. Nuk rritëm asgjë, por kemi rritur Shqipërinë .