Sot, më 5 shtator, Shqipëria dhe e gjithë bota kremtojnë Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, një figurë globale e përkushtimit ndaj më të varfërve dhe të braktisurve.
Kisha Katolike Romake e shpalli Nënë Terezën shenjtore më 4 shtator 2016, ndërsa ajo përkujtohet çdo vit, një ditë më pas, 5 shtatori që shënon edhe ndarjen e saj nga jeta.
Nga Anjezë në Shën Tereza
Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, në një familje shqiptare me origjinë nga Kosova. Në moshën 18-vjeçare, ajo iu përgjigj thirrjes së Zotit dhe iu bashkua urdhrave të Suoreve të Loreto, ku mori emrin e ri “Teresa”. Shërbeu në Kalkuta të Indisë, ku pa kushtet e tmerrshme të jetesës së të varfërve dhe ku nisi misioni i saj.
Në vitin 1950, ajo krijoi Konregacionin e Misionareve të Bamirësis (urdhër religjioz katolik), duke përkushtuar gjithë jetën e saj për të ndihmuar të varfërit. Veshja e saj e njohur, sari i bardhë me shirita blu, simbolizon shërbimin ndaj të pafuqishmëve dhe të margjinalizuarve.

Mrekulli dhe shenjtërim
Procesi i shenjtërimit kërkoi dokumentimin e dy mrekullive:
Shërimi i Monica Besra, një gruaje indiane e sëmurë rëndë në 1998-ën, e cila u shërua në mënyrë të menjëhershme dhe të plotë.
Shërimi i Marcilio Haddad Andrino, një inxhinier brazilian që u shërua në mënyrë të pabesueshme nga një sëmundje cerebrale shumë e rëndë në 2008-ën.
Një figurë e njohur botërisht
Nënë Tereza ka fituar shumë njohje gjatë jetës, përfshirë Çmimin Nobel për Paqen në 1979, të cilin e dha për të ndihmuar të varfrit e Kalkutës. Papa Gjon Pali II dhe Papa Françesku e kanë vlerësuar thellësisht veprën e saj, ndërsa Papa Gjon Pali II nisi procesin e beatifikimit pa pritur të bëheshin pesë vite pas vdekjes.
Begaj: Shenjta Nënë Terezë, pjesë e shpirtit tonë kombëtar
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, e ka përkujtuar kështu figurën e saj të shenjtë dhe fisnike.
“Sot, e gjithë bota lutet për Shenjtën Nënë Terezë. Si shqiptarë jemi krenarë që i dhamë botës një figurë të shenjtë e fisnike, simbol të mëshirës, dashurisë dhe kujdesit ndaj të pamundurve.
Shenjta Nënë Tereza është pjesë e shpirtit tonë kombëtar, dhuruar njerëzimit për të shëruar plagë e për të sjellë shpresë aty ku mungon. Ajo na mësoi se edhe gjestet e vogla të mirësisë kanë fuqinë të ndryshojnë botën. Le të bëjmë çdo ditë një vepër të mirë!”, është mesazhi i Presidenti Begaj.
Urimi i Ramës
Kryeministri Edi Rama i bashkohet përkujtimit sot me një mesazh të veçantë
“Mirëmëngjes, dhe me këtë foto të Shën Terezës, gruas së shenjtë me trup të vogël e me shpirtin sa vetë bota, ju uroj në këtë ditë të shenjtërimit të saj mbarësi e shëndet të mirë.”
Mesazhi i Ramës shoqërohet me imazhin e Shën Terezës, simbol i dashurisë, dhembshurisë dhe përkushtimit ndaj atyre që kanë nevojë, duke u rikujtuar shqiptarëve dhe botës trashëgiminë e saj të pavdekshme.
Trump dhe BE-ja nderojnë Nënë Terezën
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri publikoi mesazhin e presidentit Donald Trump për këtë ditë të veçantë.
“Nënë Tereza u dha ushqim të uriturve, strehë të pastrehëve dhe arsim atyre që kishin nevojë. Ajo përfaqësonte më të mirën te secili prej nesh”, ka thënë Trump, duke vlerësuar veprën e papërsëritshme të shenjtores shqiptare.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë e kujton Nënë Terezën, duke theksuar se ajo është një figurë që mishëroi dhembshurinë dhe humanizmin në çdo hap të jetës së saj.
Spiropali: Nëna jonë…
“Shën Terezë, Nëna jonë, bekoje popullin Tënd!”, kështu shkruan kryeparlamentarja Elisa Spiropali në këtë ditë përkujtimore për mbarë botën.
Berisha: Nobelistja që i dha nder çdo shqiptari
Kryedemokrati Sali Berisha thotë se shenjtorja i dha nder çdo shqiptari me vyrtytet e saj.
“Sot dita e shenjtërimit Nënë Terezës, nobelistes shqiptare që me virtutin e shpirtit të saj të madh i dha nder çdo shqiptari, por dhe çdo njeriu të civilizuar dhe që frymëzon me shembullin e saj njeriun, virtutet e tij më të larta!“, shkruan ai në rrjetet sociale.
Dom Mark Pashkja: Filozofia e saj, dashuri pa pritur kompensim
Zëdhënësi i Kishës Katolike, Dom Mark Pashkja, ka folur për këtë datë të rëndësishmë në lidhje të drejtpërdrejtë në rubrikën “Edicioni i Parë”, në Klan News. Ai u shpreh se 5 shtatori padyshim jep ndjenjën e krenarisë tek kombi ynë për figurën e Nënë Terezës, që është më aktuale se kurrë, sikurse dhe koherente, e bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për këtë figurë të shenjtë.
“Sigurisht një figurë si Nënë Tereza, për secilin prej nesh, duhet të na bëjë të reflektojmë për ato vlera sociale, themelore, që ndërtohet jeta njerëzore dhe mbi të cilat duhet të besojë njeriu”, tha Dom Mark Pashkja.
“E gjithë filozofia e Nënë Terezës bazohet rreth një koncepti që në greqishtjen e vjetër është ‘agape’, që është dashuri, por dashuri pa pritur se ti do marrësh atë kompensimin e duhur që ndoshta në shumë raste të bën të ndihesh mirë”
