Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar nëntë vatra zjarri në pesë bashki të vendit: Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Berat. Të gjitha vatrat janë neutralizuar me sukses, pa shkaktuar dëme në njerëz, banesa apo gjënë e gjallë.
Sipas të dhënave zyrtare, në gjashtë raste zjarret kanë përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe barishte. Ndërkohë, në dy raste, zjarri ka rënë në banesa: një në lagjen nr. 5 në Kavajë dhe një tjetër në fshatin Ishull Shëngjin, ku janë shkaktuar dëme materiale.
Në rastin e Ishull Shëngjinit, si pasojë e një rrjedhjeje gazi është lënduar një grua, e cila është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës.
Në një tjetër incident, një automjet privat është përfshirë nga flakët, por fatmirësisht pa pasoja për jetën e njerëzve, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 9 forca operacionale dhe 64 automjete zjarrfikëse në të gjithë territorin.
Sa i përket rrezikut nga zjarret, pritet një nivel rreziku i lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera parashikohet rrezik i moderuar.
Autoritetet bëjnë me dije se gjithë mekanizmi i Mbrojtjes Civile, si në nivel vendor ashtu edhe qendror, mbetet në gatishmëri dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës.
Qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar zjarri pranë strukturave përkatëse.