Një ditë më parë (30 korrik), kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shtroi shtatë pyetje SPAK-ut nëpërmjet një mesazhi të gjatë ku pretendonte se kishte mbetur pa përgjigje.
Por Prokuroria e Posaçme e ka parë të udhës që për këtë rast të mos reagonte. Kështu u shpreh kreu i saj, Altin Dumani gjatë një komunikimi me gazetarët sot, më 31 korrik.
Ai theksoi se nuk i ka lexuar pyetjet e Veliajt, i cili së fundmi është marrë i pandehur. Dumani nënvizoi se institucioni reagon kur e shikon të arsyeshme, por në rastin konkret nuk ka pasur asgjë për ta bërë diçka të tillë.
E vetmja mënyrë për të komunikuar me të, sipas Dumanit është procesi gjyqësor ku ai theksoi se SPAK i garanton të drejtat Veliajt dhe i përgjigjet me dokumente e prova.
“Nuk i kam lexuar pyetjet e të pandehurit, patjetër ka dhe raste kur institucioni e shikon të arsyeshme se duhet të reagojë, ka pasur reagime. Në rastin konkret nuk kemi asgjë për të reaguar. Ne i garantojmë të drejtat të pandehurit në proces dhe i përgjigjemi me dokumente dhe me prova. Në nuk komunikojmë me të pandehurin në një formë tjetër”, tha Dumani për gazetarët.
Ai bëri me dije se për çështjen Veliaj ka një fraksion të ndarë dhe se “janë disa fakte të cilat janë duke u hetuar nga SPAK”.