Gjashtë persona kanë humbur jetën dhe të paktën 21 të tjerë janë plagosur në një sulm të dyshuar terrorist me armë zjarri në Jerusalemin Lindor. Shtatë prej të plagosurve rezultojnë në gjendje kritike për jetën.
Sipas mediave izraelite, ngjarja ndodhi në zonën e Ramotit, pranë një stacioni autobusi. Autoritetet konfirmuan se dy nga autorët e sulmit janë “neutralizuar”.
“Pamë njerëz të shtrirë përtokë, disa të pavetëdijshëm, pranë stacionit të autobusit. Skena ishte tronditëse, me xhama të thyer dhe kaos. Fillimisht u dhamë ndihmën e parë dhe po vijojmë transportimin e të plagosurve në spital”, tha një nga mjekët e urgjencës që shkuan fillimisht në vendin e ngjarjes.
Të dielën në mbrëmje, teksa mbi Jerusalem ndriçonte hëna e kuqe, dikush kishte postuar në internet një profeci të zymtë, “Hëna e gjakut”, duke iu referuar 15 palestinezëve që humbasin jetën çdo ditë në Gaza dhe hakmarrjes që pritej të vinte në formën e një sulmi terrorist.
Grupi militant palestinez Hamas lavdëroi dy “luftëtarë të rezistencës” palestineze, të cilët sipas tij kryen sulmin, por nuk mori përsipër përgjegjësinë.
Zakonisht pas ngjarjeve të tilla, çdo hyrje dhe dalje nga Jerusalemi do të qëndrojë e bllokuar deri në një urdhër të ri.
Kryeministri Benjamin Netanyahu shkoi në vendin e ngjarjes bashkë me ministrin për Sigurinë Kombëtare, Itimar Ben-Gvir.
Ndërkohë, për ngjarjen reagoi menjëherë qeveria franceze dhe ajo gjermane.
Vetëm mbrëmjen e kaluar, mbi tryezën e tij kishte mbërritur propozimi më i fundit për armëpushim në Rripin e Gazës, i avancuar nga administrata amerikane. Me shumë gjasa, ky sulm i ri do të ngrijë përsëri çdo përpjekje.
Hera e fundit që vendi tronditet nga një ngjarje e tillë ishte pothuajse dy vjet më parë: të shtënat e para në Izrael që nga 7 tetori, një muaj e gjysmë pas fillimit të luftës në Gaza. Kjo ndodhi në Trampark, ku një çift terroristësh kishin sulmuar me mitralozë, duke përdorur gjithashtu një pistoletë. Një rabin dhe dy gra mbetën të vdekur në tokë. Në vapën e ndërhyrjes së parë, ushtarët kishin vrarë aksidentalisht edhe një izraelit i cili në fakt po përpiqej të neutralizonte komandon. Edhe atëherë, një autobus: objektivi më i lehtë.