Katër persona janë arrestuar, ndërsa nëntë të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë si pasojë e protestës së zhvilluar ditën e diel, 4 janar, para Kryeministrisë nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”.
Mes të proceduarve është edhe Adriatik Lapaj. Ky i fundit, bashkë me dy persona të tjerë, akuzohen nga policia se kanë bllokuar hapësirën publike përpara Kryeministrisë duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera pa leje.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit E. H., 30 vjeç, A. M., 40 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe E. Ll., 41 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. H., A. Sh., E. L., A. B., A. Sh. dhe M. Xh., pasi dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të protestës, kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë, u dëmtuan 2 punonjës policie, njëri prej të cilëve vijon ende në spital. Referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. L., E. K. dhe A. P., pasi kanë pushtuar hapësirën publike përpara Kryeministrisë, duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera, pa leje dhe në kundërshtim me urdhrin e punonjësve të Policisë”, njoftuan uniformat blu.
Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ zhvilloi protestën e radhës para kryeministrisë më 4 janar, teksa prej një muaji, kreu i saj, Adriatik Lapaj vijon të qëndrojë para Kryeministrisë ku bashkë me mbështetës kanë ngritur çadra dhe kanë vendosur karrige para godinës së qeverisë.
Por mbrëmë, sipas pamjeve të shpërndara në rrjetin e tij social, Facebook, policia ka ndërhyrë duke i larguar. Gjatë veprimeve të tyre, Lapaj është goditur me një ngrohëse dhe për pasojë u dërgua në Spitalin e Traumës për të kryer ekzaminime. Gjithsesi ai paralajmëroi se do ta vijojë protestën e tij.
“Medalja e tretë në 1 muaj nga regjimi Edi Ramës! Më kanë kallëzuar penalisht sërish. Edhe unë do i kallëzoj kësaj here. Hajdutët nuk më trembin dot. Te sheshi më kanë pasi të dal nga spitali”, tha Lapaj.
