Ministri i Financave Petrit Malaj dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko folën mbi sektorin e bujqësisë në vend, në një konferencë të përbashkët për mediat.
Teksa Sejko bëri apel për një qasje të re ndaj kreditimit të këtij sektori, që sipas tij ka potencial të lartë, ministri njoftoi se për herë të parë këtij sektori do t’i vihet në dispozicion një fond me vlerë 30 milion euro.
Sipas tij, modeli që synohet të ndërtohet për rritjen e këtij sektori ka në thelb angazhimin e të gjithë aktorëve për të ndërtuar një sipërmarrje të suksesshme rurale.
Shtoi se kështu se do të garantohet deri në 70% e kredisë për fermerët, norma e interesit e kufizuar në 2% dhe fondet do shkojnë posaçërisht për agropërpunim, agroturizëm, peshkim apo për sera moderne.
Bashkëpunimi me sektorin bankar
Në këtë tryezë, u vu theksi edhe te bashkëpunimi me sektorin bankar.
“Vetëm përmes një pjesëmarrjeje të gjerë dhe të organizuar të biznesit të vogël dhe të mesëm, të mbështetur nga një sistem bankar më aktiv dhe më proaktiv, do të mund të sigurojmë një shtrirje reale dhe efektive të kësaj nisme, duke garantuar që fondet të shkojnë aty ku ka më shumë nevojë dhe ku ndikimi është më i madh.
Qeveria shqiptare, veçanërisht Ministria e Financave është e angazhuar të krijojë mjedisin e duhur financiar, ligjor dhe rregullator me qëllim nxitjen e investimeve në sektorët prioritarë të zhvillimit ekonomik. Garancia Sovrane për Bujqësinë është vetëm një nga hapat dhe suksesi i saj varet nga angazhimi i secilit prej nesh.
Unë shpreh bindjen e plotë se duke punuar së bashku do të mund të ndërtojmë një model të ri zhvillimi i cili do të na shërbejë për ta bërë bujqësinë tonë më konkurruese, në kuadër edhe të procesit të integrimit europian“, tha ministri.