28 kanë bërë thirrje urgjente për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar në Gaza, ku sipas tyre vuajtjet e civilëve kanë arritur “nivele të reja dhe alarmante”. Në një deklaratë të përbashkët, këto vende dënuan modelin e shpërndarjes së ndihmave nga Izraeli, duke e cilësuar atë si të rrezikshëm dhe të pamjaftueshëm për nevojat humanitare.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi se më shumë se 100 palestinezë u vranë gjatë fundjavës nga zjarrvënia izraelite, teksa prisnin për ushqim, ndërsa 19 të tjerë humbën jetën nga kequshqyerja. Ndërkohë, Izraeli hodhi poshtë këto akuza, duke fajësuar Hamasin për vazhdimin e konfliktit dhe pengimin e shpërndarjes së ndihmave.
Sipas deklaratës, modeli aktual i Izraelit për shpërndarjen e ndihmave jo vetëm që rrezikon jetën e civilëve, por gjithashtu “ushqen paqëndrueshmërinë dhe privon banorët e Gazës nga dinjiteti njerëzor”. Nënshkruesit i bënë thirrje Izraelit, Hamasit dhe komunitetit ndërkombëtar që të nisin menjëherë një armëpushim të përhershëm, duke paralajmëruar se janë të gatshëm të marrin masa të mëtejshme për të mbështetur këtë qëllim.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, përshkroi situatën në Gaza si një “litani tmerri”, duke njoftuar edhe një ndihmë shtesë humanitare prej 40 milionë paundësh për këtë vit. Edhe OKB-ja shprehu shqetësim të thellë për përkeqësimin e situatës humanitare, duke paralajmëruar se “fundamentet e fundit të mbijetesës po shemben”.
Që nga maji, pas lehtësimit të pjesshëm të bllokadës, kanë pasur shumë incidente me civilë të vrarë gjatë pritjes së ndihmave, dhe nuk ka bashkëpunim midis OKB-së dhe sistemit të ri të shpërndarjes së ndihmave të krijuar nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Kriza humanitare po përkeqësohet me mungesë të theksuar ushqimi, medikamentesh dhe karburanti, ndërsa spitalet në Gaza po përballen me mungesë të ushqimit dhe kujdesit për pacientët dhe personelin. Banorët raportojnë mbylljen e tregjeve dhe rritjen astronomike të çmimeve për ushqime bazë.
Vendet nënshkruese gjithashtu refuzuan propozimin izraelit për zhvendosjen masive të banorëve në një “qytet humanitar”, duke e cilësuar atë një shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Në anën tjetër, Izraeli theksoi se përgjegjësi për mungesën e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve mbetet te Hamas, që sipas tij, po përhap gënjeshtra dhe po pengon ndihmën humanitare.
Që nga sulmi i Hamasit në tetor 2023, në konfliktin që pasoi kanë humbur jetën mbi 59 mijë njerëz në Gaza, sipas autoriteteve lokale.