Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në Kosovë ka regjistruar gjithsej 37 vatra zjarri, prej të cilave 22 mbeten aktive, ndërsa 15 janë shuar.
Situata më e rënduar paraqitet në fshatin Kçiq i Vogël të komunës së Mitrovicës, ku është kërkuar ndërhyrje urgjente dhe ndihmë nga KFOR-i, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës (PK).
Në operacionin e shuarjes së zjarreve në këtë zonë janë të angazhuara njësitë e zjarrfikësve nga: Mitrovica Jugore dhe Veriore, Zubin Potok, Prishtina, Vushtrria, Njësia Nacionale për shuarjen e zjarreve nga toka.
Edhe banorët e fshatit Mirash në juglindje të Kosovës kanë përdorur ujë dhe mjete rrethanore duke përfshirë shkopinj për të parandaluar që flakët të përfshinin qindra shtëpi.
Zjarri u përhap në një pjesë të madhe të malit, me tym të dendur që ngrihej pas shtëpive në fshat.
Terreni i thyer malor i ka penguar automjetet e zjarrfikësve të hyjnë në zonë, duke i komplikuar përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët.
Zjarri ka shkaktuar tashmë dëme të konsiderueshme në tokat bujqësore.
“Jemi në fshatin Mirash, në komunën e Ferizajt. Zjarri filloi dje në mëngjes. Zjarrfikësit erdhën dje, por nuk kishin ujë, as mjete. Ne, vendasit, iu bashkuam atyre. Ata nuk janë më këtu, por ne po vazhdojmë dhe po përpiqemi ta ndalojmë zjarrin. Sa më shumë që të mundemi.”
“Humba rreth shtatë hektarë (me pemë). Gjithçka është djegur. Por nuk jam vetëm unë. Kushërinjtë e mi, fqinjët e mi humbën gjithashtu shumë tokë me pemë. Dëmet janë të mëdha.”