Dumani 1 1024x577

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka bërë të ditur se SPAK po heton 43 raste për krime zgjedhore në lidhje me 11 Majin.

Në tryezën e organizuar me temë “Drejt një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, kreu i SPAK bëri bilancin e punës së institucionit që ai drejton në lidhje me hetimet e krimeve të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Sipas Dumanit, janë marrë në tërësi 192 materiale që lidhen me dyshimet për krime zgjedhore, prej të cilave 43 janë regjistruar si procedime penale dhe aktualisht janë nën hetim.

“Janë administruar 192 materiale që lidhen me dyshime për krime zgjedhore. Nga këto 43 materiale zgjedhore janë regjistruar si procedime penale, kanë kaluar në fazën hetimit. Për 43 është vendosur mosfillimi i hetimit për mungesë te elementëve. 40 janë dërguar për kompetencë pranë Prokurorive të rretheve, 22 materiale janë dërguar për verifikim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, 17 materiale janë bashkuar me materiale të tjera”, tha Altin Dumani.

Kreu i SPAK tregoi edhe burimin e kallëzimeve për krime zgjedhore, 9 prej të cilave nga 43 janë nisur me iniciativë nga vetë Prokuroria e Posaçme.

“Nga 43, 22 janë iniciuar mbi bazën e referimeve, 1 nga SHKB, 9 janë regjistruar kryesisht me iniciativë të SPAK, 3 kanë ardhur nga kallëzimet e shtetasve, 3 janë referuar nga Prokuroritë e rretheve, 4 janë kallëzuar nga subjektet politike dhe 1 është ndarë nga një tjetër kallëzim ekzistues”.

Pjesa dërrmuese e veprave penale kanë të bëjnë me korrupsionin aktiv në zgjedhje.

“35 materiale janë regjistruar për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.

4 janë regjistruar për korrupsion aktiv dhe pasiv.

1 për përdorimin e funksionit publik për qëllime politike

1 për përdorimin e funksionit publik për qëllime politike dhe shpërdorim detyre

1 për kanosje ose dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Në lidhje me hetimet për krime zgjedhore, Dumani tha se janë kryer edhe kontrolle banesash dhe të ambienteve të tjera.

“Hetimet për shumë nga procedimet penale janë aktive dhe janë nënshtruar disa kontrolle banese, zyre personale, janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejim kontrolli, janë sekuestruar prova e dokumente.

Sfidat nuk janë të pakta. Duke ju referuar materialeve të partive që kanë mbërritur në SPAK, kemi vënë re që kallëzimet e tyre kanë qenë të paplota dhe jo të sakta.

SPAK është vënë në kontakt me denoncuesit e partive politike dhe është konkluduar se në çdo rast të ngritur nga subjekte politike, SPAK ka bërë verifikimet përkatëse. Për çdo kallëzim, kemi kryer të gjitha verifikimet e nevojshme”, tha ndër të tjera Altin Dumani.

Altin Dumani vlerësoi bashkëpunimin me KQZ, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Policinë e Shtetit për verifikimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.

“Nxorrëm disa mësime nga këto zgjedhje, doja të theksoja rëndësinë e bashkëpunimit të drejtpërdejtë me Prokurorinë e Përgjithshme, Drejtorinë e Policisë dhe KQZ. Nevojitet më shumë ndërgjegjësim publik dhe mbështetje më e madhe për denoncuesit dhe sinjalizuesit, dhe garanci ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve. SPAK ka qenë i angazhuar duke filluar nga fillimi i muajit prill dhe në vijim në hetimin e krimit zgjedhor dhe me palët e bashkëpunimit kemi arritur që në kohë të shpejtë të kryejmë veprime verifikuese. Kemi marrë kontakt edhe me denoncuesit, qofshin subjekte politike, qytetarë apo organizata të shoqërisë civile”, përfundoi kreu i SPAK, Altin Dumani.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights