Të paktën nëntë persona dhe autori kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë. Autori thuhet se u gjet i vetëvrarë në një nga banjot e shkollës. Lajmi është raportuar nga media austriake “Kronen Zeitung”.
I riu dyshohet se hyri në dy klasa në shkollën e mesme austriake, duke qëlluar me një pushkë gjuetie të regjistruar rregullisht. Gazeta gjermane Bild raporton se mes viktimave janë katër vajza 10-vjeçare të klasës së pestë dhe tre djem 13-vjeçarë të klasës së tetë.
Autori bëhet e ditur se ishte nxënës në Borg dhe, siç raportohet nga Kronen Zeitung, e konsideronte veten viktimë të ngacmimit.
Ngjarja ka ndodhur në shkollën e mesme “BORG”. Sipas autoriteteve, sulmi ndodhi të martën rreth orës 10:00. Forca të shumta të policisë kanë rrethuar zonën.
Numri i të vdekurve u njoftua nga mediat lokale, teksa ministri i Brendshëm Gerhard Karner ende nuk e ka konfirmuar atë.
Brenda, disa mësues janë ende të mbyllur në klasa me nxënësit. Të paktën njëri prej mësuesve është në kontakt me njësinë Eko-Cobra.
Ministri i Brendshëm Gerhard Karner ka mbërritur në vendngjarje. Tragjedia ndodh dhjetë ditë para dhjetëvjetorit të masakrës së Grazit: më 20 qershor 2015, ku një burrë drejtoi makinën me 100 kilometra në orë drejt turmës së njerëzve. Një djalë dhe një vajzë të moshës 28 dhe 24 vjeç dhe një fëmijë katërvjeçar humbën jetën.
Ndërkohë lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas.
Në një postim në rrjetin social “X”, Kallas shkruan: Jam thellësisht e tronditur nga lajmi për të shtënat në shkollën në Austri. Çdo fëmijë duhet të ndihet i sigurt në shkollë dhe të jetë në gjendje të mësojë pa frikë dhe dhunë. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe popullin austriak në këtë kohë të errët.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi motivet apo identitetin e autorit. Hetimet janë në vijim.